Teuta i ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen me Partizanin, ku në këtë seancë vëmendje e madhe u është kushtuar goditjeve standarde dhe ushtrimeve për kontrollimin e topit. Trajneri Gugash Magani ka provuar disa skema loje, si dhe ka skicuar formacionin që do të vihet përballë të kuqve. Stafi teknik nuk ka të gatshëm për sot katër lojtarë: Rizvanin, Hodon, Çyrbjen, si dhe kapitenin Hoxha.

Portieri Rizvani ka pësuar një dëmtim në stërvitje para dy javësh dhe ende nuk është rikuperuar. Çyrbja do të mungojë për shkak të dëmtimit që ka marrë në shpinë dhe mjekët e skuadrës e kanë penguar të luajë në mënyrë që lëndimi të mos përkeqësohet. Mesfushori Hodo ishte piketuar si titullar për sot, por në fund të seancës së djeshme stafi teknik dhe ai mjekësor kanë vendosur që 31- vjeçari të mos aktivizohet, pasi lojtari ndien dhimbje në këmbën e majtë. Mungesë tjetër për Teutën është dhe ajo e kapitenit Rustem Hoxha, i cili ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë, duke e privuar nga ndeshja e sotme. Mungesat e Hodos, Hoxhës, Rizvanit dhe Çyrbes bëjnë që sot Teuta të ketë në ekip vetëm dy lojtarë nga qyteti i Durrësit, Gripshin dhe Kotobellin, ndërsa pjesa tjetër janë “jabaxhinj”.

Elbasanasit
Ndeshja do të luhet në Elbasan dhe për disa nga futbollistët e Teutës është një emocion më vete, pasi ndaj Partizanit luajnë në shtëpinë e tyre. Janë katër lojtarë elbasanas në radhët e Teutës, Hila, Musta, Lamçja dhe Shehi, të cilët nëse do të aktivizohen sot i bie që të luajnë në shtëpinë e tyre. Të kontaktuar nga “Panorama Sport”, katër futbollistët elbasanas të Teutës nuk kanë dashur ta komentojnë ndeshjen, pasi preferojnë më mirë të flasin pas sfidës që luhet në qytetin e tyre. “Do të jetë një emocion i veçantë, pasi këtë transfertë e luajmë në shtëpinë tonë. Ndeshjen do ta komentojmë në fund dhe para saj vetëm do të përqendrohemi se si të dalim me kokën lart”, u shprehën shkurtimisht katër elbasanasit e Teutës./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: