Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, njëherazi dhe drejtuesi politik i njësive 5 dhe 7 në kryeqytet, nisi dje një proces verifikimi të firmave të mbledhura për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD më 11 dhjetor.

Sipas Shehajt, firmat ishin legjitime dhe shumica e delegatëve në këto dy njësi kishin votuar pro mbajtjes së Kuvendit në këtë datë. Për këtë arsye, deputeti lajmëroi pjesëmarrjen në këtë Kuvend, duke shtuar se respekton vullnetin e atyre që përfaqëson. Mirëpo, një përdoruese e rrjeteve sociale me emrin Freskida Rapo Hani, ka reaguar në hapësirën e komenteve në profilin zyrtar të deputetit Shehaj.

Ajo pretendon se firmat janë falsifikuar dhe ajo nuk ka firmosur për mbajtjen e Kuvendit më datë 11 dhjetor. Sipas saj, Shehaj e ka telefonuar, por përgjigja e saj ka qenë negative për pjesëmarrjen. Përdoruesja e cilëson qëndrimin e deputetit si dualist.

“Pse nuk shkjruani që janë falsifikuar firmat… Unë nuk kam firmosur dhe rezulton që kam firmosur. Ishit ju që më morët dhe çfarë ju thashë???? Pse nuk denonconi z. Agron. Çështë ky qëndrim dualist???? Vallë e do PD më shumë se unë??? Zhgënjim total për ju dhe atë që përfaqësoni ju”, shkruan përdoruesja.

  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb