TIRANË

Kreu i PDSH-së në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi deklaron se meritën për marrëveshjen e Prespës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ftuar në “Real Story” në News24, Thaçi u shpreh se është kundër heroizmave e folklorizmave të politikës shqiptare dhe madje iu bën thirrje kolegëve të tij jo vetëm në Maqedoninë e Veriut të kenë kujdes se po i nervozuam aleatët na e përdredhin kurrizin.

“Mendoj se pandershmëria e skajshme e marrëveshjes së Tiranës, ishte mbajtja në pushtet e Ali Ahmetit dhe BDI-së, të cilët kishin bashkëqeverisur me Gruevskin 10 vitet e fundit dhe ai ishte fajtor për këtë situatë. Mospjesëmarrja ime ishte për këtë.
Unë jam shumë kundër heronjve të stereotipave tonë. Meritorë për marrëveshjen e Prespës janë SHBA-të që i kanë gjunjëzuar maqedonasit që t’i pranojnë kompromiset. Unë ngela në opozitë duke respektuar votën e shqiptarëve por të gjitha çështjet që kishin të bënin me marrëveshjen e Prespës i kam votuar me 2 deputetë. Këto vota ishin të nevojshme. Nuk është problemi i sjelljes me korrektësi për çështje që i takojnë shqiptarëve por pretendoj që shqiptarët në Maqedoni të respektojnë në mënyrë moderne demokracinë. Ndodhi me meritën e aleatëve tanë strategjikë. Nuk dua askënd ta nënçmoj, ta fyej, ta ofendoj por beso se kohët e fundit më pengojnë shumë heroizmat, romantizmat, folklorizmat e politikës shqiptare.

Të gjithë kolegëve të mi politikanë kudo që janë, kudo në Kosovë, në Shqipëri dua t’iu them shumë duhet të jemi të kujdesshëm me këto heroizma sepse po i nervozuam aleatët tanë strategjikë do të na e përdredhin kurrizin e do na thonë kush ju pyeti ju. Duhet të jemi të kujdesshëm, asnjë kërkesë e jona, asnjë qëllim i joni politik nuk ka kuptim jashtë BE-së dhe NATO-s”, tha Thaçi.

Sa i përket raporteve të tij me Amerikën, ai tha se prej një kohe të gjatë janë normale. “Unë kam takuar shumë zyrtarë në SHBA. Në 2003 më është ndaluar viza për shkak të deklaratave të mia radikale.
Jo vetëm me SHBA-të unë kam pasur mosmarrëveshje dhe me njerëz të tjerë dhe me kryeministrin e Shqipërisë, por mua nuk më vjen turp që të pranoj se e kam pasur gabim, dhe që ata që e kanë pasur më mirë.
Unë mendoj se është dashur të insistoj më shumë që ta bind kryeministrin shqiptar që përveç procesit të integrimit dhe ndërrimin e emrit është dashur që edhe BDI-në ta kalonim në opozitë. Hajt se tash kalojnë në 15”, tha ai.
Thaçi deklaroi më tej se në zgjedhjet e ardhshme është i kandiduar për postin e zv. kryeministrit të Maqedonisë, një post që për vendime të caktuara do jetë si kryeministër i dytë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb