TIRANË

Një 19- vjeçar ka rënë në prangat e Policisë pasi theu stola në Air Albania Stadium gjatë ndeshjes Kukësi- Tirana disa ditë më parë si dhe hodhi sende në fushë.

F.Z, u arrestua në flagrancë dhe është një prej 12 personave të cilët janë fajtorë sipas Policisë në skenat e dhunshme që ndodhën gjatë ndeshjes së Superligës, ndërkohë deri tani janë arrestuar 4 kur 8 të tjerë janë në kërkim.

Të premten e kaluar u luajt në Air Albania Stadium në Tiranë sfida Kukësi- Tirana e vlefshme për Superligë e cila përfundoi me fitoren 1-2 të kryeqytetasve.

Veç spektaklit në fund të ndeshjesh u konstatua se 145 stola nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit ishin thyer. Veprimet u dënuan ashpër nga të dyja klubet, FSHF apo dhe nga vetë kryeministri Edi Rama.

 

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË

Tiranë

Kapet një tjetër person, për shkatërrim të pronës dhe prishje të qetësisë publike. Shkatërroi stolat e stadiumit “Air Albania” dhe hodhi sende të forta në fushë gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi, vihet në pranga 19-vjeçari. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i shtetasit: F. Z., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kukësi, ky shtetas ka thyer stolat e stadiumit dhe ka hedhur sende të forta në fushën e stadiumit “Air Albania”, Tiranë. Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrimi pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb