1
Të kuptosh thellësisht përjetësinë (Perpetum), të ndjesh lëvizjen (Mobile) dhe poetikisht ta parashikosh atë (Horoskop), është një përpjekje të njohësh veçoritë themelore të tregimit të Zija Çelës.
Këto janë tri ndarjet që ka bērë autori në librin me tregime “Thika pa gjak”, botuar nga Onufri.
Tri ndarje rrëfyese me shumë ngjarje, të cilat organizohen lirshëm me petkun e një gjuhe që rrëfen simbolika çastesh, thelbesh, tipesh, ndejnjash të një perditësie sa të ngjashme me tënden, aq dhe të ndryshme. Zgjedhja dhe përdorimi i fjalës kthehet në pasuri meditimesh dhe perjetimesh. Kjo ndodh në secilin bllok me tregime të mbledhura nën një titull.
Te ‘Perpetum’ lexuesi me të drejtë ndjehet si Genti Meniku, personazhi i tregimit “Margarita dhe tullumbace”, që numëron hapat e tij drejt nënës, por “që asnjëherë nuk do mësonte dot të kundërtën, hapat e nënës drejt tij”. Edhe lexuesi numëron mbi pesëdhjetë titujt e tregimeve që ka ky vëllim, i zbërthen sipas shijeve të tij, po kurrë nuk do mund të numërojë se ç’bën një autor për të ardhur magjishëm te lexuesi, siç vjen Zija Çela. Ja përse poetja Mirela Papuçiu ka të drejtë kur shkruan për autorin: “Sa mbushem prej asaj që del nga dora, zemra e mendja e Çelës! Aq sa mendoj që, po të kishte një pyetje se prej ç’lënde është i përbërë Zija Çela, përgjigjja do të qe: ‘Prej letërsie.’ Edhe elementët e jetës së Mjeshtërit duket sikur i janë dorëzuar konvertimit të plotë. Ndaj, edhe pse njerëzor, ka diçka krejt të pakapshme tek ai… Është ajo, aureola.”

2
Fabulat e 17 tregimeve të “Perpetum”, karakterizohen nga një rrjedhë e natyrshme e zbërthimit dhe zhvillimit të karaktereve të veçanta njerëzore, karaktere me natyra e statuse të ndryshme sociale. Dhe nis me ndjenjën njerëzore për dashuri, që shfaqet si dalldi e iluzion: ylberit (jetës) nuk i mungon e zeza. Ndërsa personazhi italian, zoti Roca, edhe pse kujtesa e gruas së tij të moshuar ka pushuar së vepruari, aq sa nuk e njeh më as bashkëshortin, nuk zmbrapset prej saj, sepse: “Unë e di cila është ajo.”
Tek “Asprat e Judës” lexuesit i mjafton porosia e gjyshit: “Dëgjomë me kujdes, nipi im, lavdi nuk të jep asnjë imitim. Ka mjaftuar gozhdimi i Jezusit një herë, për të tejkaluar çdo kryqëzim.” Rrëfyer në rrjedhë logjiko – kohore, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve retorike të autorit, lexuesit i duhet gjithashtu përqendrim. Por tregim pas tregimi, lexuesi do të përballet me plotësimin e tërësisë së tipologjisë së rrëfimit të Zija Çelës. Mënyra si i lidh autori ngjarjet me idetë domethënëse të vrasjes së frikës brenda vetes si te Bubala, me maninë e fshehtë për dominim të vetes dhe të tjetrit si Evelinë, zbrazëtinë mishngrënëse të emigracionit, egoizmi dhe tinëzaria e Dimikeles, transferimi i ndjenjës brenda kutisë së chat-it, janë njëkohësisht bërthama e tema rrëfimi.
Personzhet janë të kohësisë reale dhe të vendeve, ku zotëron përditshmëria jonë. Autori, në të njëjtën hapësirë kohore, prek momente të tyre që kthehen në ushqim konceptesh për lexuesin. Sepse, ndërsa lexon pohimin e një personazhi se: “Unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur”, atë e rrok përfytyrimi, që ndërfutet te lexuesi nga autori, nëpërmjet portretizimit me pak fjalë të Nazifit të thinjur shpejt. Nga një personazh në tjetrin, marrim vetërrëfime a rrëfime që i karakterizojnë ato psikologjikisht: “Tartallozi bën karrierë”, emocionet “carpe diem” të Floretës, gjendjet e nderura te “Trofeu” dhe “Thika pa gjak”, etj.

3
Ndryshimet që u ndodhin personazheve te “Mobile” janë sa ndryshime që sjell koha, aq dhe evolucione të natyrës psikologjike ose shpirtërore. “Shuplaka e motrës”
të shkundullon, te “Gropa Thithëse” apo “Banka e ankesave”, ironia e fatit të vret. Te “Udhëtim në rrotullim” njeriut i shflokohet koka në rrugëtimin e tij absurd, të cilin ende nuk e di se ku mbaron, por me teknikë gjuhësore zbërthehet ecja e shpirtit të tij: “Çfarë lamë mbrapa e gjejmë dhe përpara”.
Trazimet e një shpirti me reflekse meditative, që thyhet e ndryn brengën e të gjallit, shprehen në metaforën dhe simbolikën e titullit të rrëfimit “Përpara Portës”. Kemi përballë KE – kryeëngjëllin dhe njeriun, babain që ka humbur të birin. Megjithëse tashmë në qiell, përpara portës së katit të epërm, ai sërish e ruan kujtesën e Tokës, pra e di se cili do ta presë andej. Është Ati që refuzon Parajsën, nëse nuk ka qenë në gjendje të lërë gjurmë të pashlyeshme te biri i tij.
Në tregimin “Nëna e Fluturuesit”, fati i nënës nuk përbën kronikë për kohët e çmendura, që jepen pas lajmeve të imazhit siperfaqësor e jo thelbit të natyrës njerëzore. Madje deri në shkallën, sa “famozët” të mos kujtohen më as si quhej ajo grua e thjeshtë.
Autori përdor mjetet stilistikore si imazhet figurative, që e bëjnë tekstin tërheqës dhe interesant. Do të përfshija këtu tëra prozat poetike të pjesës së tretë, “Horoskop”, ku jeta kalon mes të kundërtave, për të triumfuar bukuria e saj. “Stuhi, stuhi… Ja vdekje, ja Dashuri!” “Sa të paepur jemi në hakmarrje, pa qenë të tillë në dashuri!”
Gjuha lakonike përdoret për krijimin e atmosferës sugjestionuese dhe shpejtimin e ritmit të ngjarjes. Fjalitë e shkurtra, konçize, krijojnë atmosferën e qetë e të paqtë. Ndërsa frazat e përbëra, me marrëdhënie të larmishme, leksik të pasur e përdorim të imazheve figurative, e bëjnë tekstin më kompleks, por duke ruajtur gjithnje qartësinë dhe forcën shprehëse.
Ka te drejtë kolegu i Zija Çelës, shkrimtari i shquar Mehmet Kraja, kur ka theksuar: “Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve, që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak. Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin. “Thika pa gjak” është një libër i shkëlqyer, i atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: