Presidenti Ilir Meta iu drejtua me një mesazh të fortë e të qartë kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa komentoi protestën e dhunshme të 8 janarit.

I pyetur nga gazetarët nëse i jep të drejtë Bashës apo Berishës për protestën, Kreu i Shtetit iu drejtua kryedemokratit, duke i thënë se “Po ti mo zotëri, nëse do të shpëtosh partinë tënde e të tregosh se je ndryshe nga Berisha, Rama e Meta, afroheni një javë para Kuvendin”.

Ndërsa për Berishën, Meta tha se e ka shprehur hapur që ka dobësi për të, por ai shtoi se nuk është dakord me parullën e tij se revolucionin një ditë e drejtojmë e një ditë na drejton.

“Nuk mendoj se është një problem mes Bashës e Berishën. Mendoj se është një problem i shkatërrimit të llogaridhënies edhe brenda PD. Unë kam qenë kryeministër i Shqipërisë, dhe nuk kam qenë pakicë, por shumicë. Kam fituar kundër Fatos Nanos dhe kandidatit të tij. Edhe në Parlament kam pasur shumicën e grupit parlamentar. Fatos Nano bëri disa deputetë dhe bllokoi 2-3 ndryshime në qeveri, 2-3 ministra. Unë e dhashë dorëheqjen për të zgjidhur disa probleme serioze të integrimit, që nuk ishin shkaktuar nga unë, por nga Nano. Kemi të bëjmë me një krizë legjitimiteti, e kanë pranuar edhe vetë, dualizmi. Është e vërtetë që është zgjedhur zotëria në krye të PD, është zgjedhur se ka pasur përkrahjen e Berishës, Nokës, Palokës, Strazimirit, Bumcit, Vokshit, Këllicit, etj. Tani papritur, për çdo arsye, këta njerëz jo vetëm ja heqin kërë përkrahje, por edhe e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tij. Ata mund të jenë pa vlerë, por kanë një votë. Është detyra e tij të vendosë legjitimitetin e tij. A tha nuk do të ketë Kuvend se nuk dua të përçaj partinë. Kur u mblodhën firmat dhe u caktua data, shpalli dhe ky Kuvend, por nuk vuri në rend dite as çështjen e vetëbesimit të tij. Po ti mo zotëri, nëse do të shpëtosh partinë tënde e të tregosh se je ndryshe nga Berisha, Rama e Meta, afroheni një javë para Kuvendin.

A i shikoni këto pamje, çfarë janë këta? Janë këmishëzinj. Kjo është zgjidhja, kjo është e ardhmja? Nuk është kjo. Absolutisht që nuk është zgjidhje as parulla që revolucionin një ditë e drejtojmë, një ditë na drejton. Unë e kam shprehur se kam dobësi për doktorin, por me këtë parullë nuk jam dakord. Kur bën një organizim proteste, duhet ta organizosh nga fillimi në fund në mënyrën më paqësore, sepse zotëri ti e di që çdo gjë bëhet për të bërë një fotografi dhune, që të harrohet çdo gjë tjetër dhe me këtë fotografi të spekulohet kudo, jo në interes të demokracisë. Kjo është një histori e vjetër. U bënë vite në Shqipëri. Tani vetëm se kanë ndryshuar vendi ku ndodh skenari i përplasjes. Dikur me bojkotet artificiale, tani me një situatë më komode, se ndodhin brenda opozitës dhe paralizojnë gjithë funksionin e shtetit të së drejtës, dhe shqiptarët e Shqipëria vidhen në mënyrë të pamëshirshme e askush nuk mban përgjegjësi. Bëhen shembuj disa koka turku, disa ceronka, ndërkohë që vazhdojnë koncesionet, që i shërbejnë kapjes së shtetit dhe jo ç’kapjes së saj, që duhet të nisë nga llogaridhënia brenda opozitës. Atij që s’i pëlqen që është pakicë, të shkojë e të krijojë një parti të re. Jo vetëm forcën për të marrë një godinë, por edhe forcës për të mbajtur një godinë”, u shpreh Presidenti Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb