Nga:ERJON SKENDAJ*TIRANË-Të mbijetosh me ndihmën ekonomike që të jep shteti dhe të mendosh edhe sesi të paguash dritat me shumen simbolike që merr në këmbim të varfërisë, kjo është sfida me të cilën përballet çdo ditë familja Tahiri. Familja jeton në një shtëpi të vjetër përdhese në rrugën Salaudin Zorba pranë spitalit nënë Terza në Tiranë. Siç tregon e zonja e shtëpisë në familje askush nuk punon, të paktën punë të përhershme dhe e vetmja shpresë për të ushqyer 6 frymë mbetet asistenca 5 mijë lekë në muaj që marrin nga shteti. Margerta nuk ka as shkollë dhe thotë se e ka lidhur jetën me katër fëmijët e saj më i madhi 14 vjeç më të vegjlit dy binjake që sa kanë mbushur vitin e parë. Familja e varfër me 6 anëtarë ka 10 ditë pa energji elektrike pasi rezulton debitore ndaj OSHEE në vlerën 1 milion të vjetra.

Në dollapin e ushqimeve, nuk ka shumë për të parë dhe për të kuptuar se me çfarë ushqehet familja e varfër në mes të Tiranës.

E megjithatë dëshira për ti shlyer detyrimet oshe nuk mungon pavarësisht skamjes që të vret që sa hynë në derën e shtëpisë. Margerta thotë se është gati të lërë peng ndihmën ekonomike vetëm që drita ti rikthehet.

Në Shqipëri janë afër 87 mijë familje pa asnjë të ardhur apo aktivitet që të gjenerojë përfitime monetare, që trajtohen me ndihmë ekonomike, që në rastin më të mirë, nëse familja ka 10 anëtarë mund të përfitojë deri në 8 mijë lekë ndihmë nga shteti.

Vetë qeveria dhe kryeministri Rama vijojnë të shprehen se nuk do të ketë tolerim për asnjë familje që rezulton debitore ndaj OSHEE, pavarësisht statusit social që gëzojnë. Ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit përmes një raporti urgjent i kërkon qeverisë që të anulojë debitë e energjisë që rëndojnë tek familjet e varfra si dhe të rishikojë skemën e ndihmës ekonomike bazuar në minumin jetik. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ende nuk e ka të përcaktuar nivelin e minimumit jetik dhe nivelin e varfërisë ekstreme.

(a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: