TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasit Sokol Sinani dhe Imerli Metaj, të cilët janë arrestuar në flagrancë në 30.08.2015 me një çantë me 126 shufra lëndë plasëse plastike dhe 45 kapsolla detonatorë.

Dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” janë arrestuar gjatë një patrullimi policor në zonën e Kamzës. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë, ata rezulton se e kanë siguruar lëndën plasëse në Kukës dhe po e dërgonin drejt Tiranës me furgonin e drejtuar nga Sokol Sinani.

Gjatë hetimit, dy shtetasit kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj veprës penale. Shtetasi Imerli Metaj deklaron se nuk ka asnjë lidhje me sasinë e lëndës plasëse dhe se ka hipur rastësisht në furgonin e drejtuar nga Sinani. Ndërkohë, Sokol Sinani pretendon që edhe ai nuk ka asnjë lidhje me lëndën plasëse, por çantën ku gjendej ajo e ka harruar në mjetin e tij një person, i cili ka hipur më parë në furgonin e tij.

Por gjithsesi, dy të pandehurit nuk kanë arritur të shpjegojnë se përse, në momentin kur janë arrestuar nga Policia, ata janë gjetur jashtë furgonit, së bashku me çantën me eksploziv në duar. Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës i akuzon të dy për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit…”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: