Presidenti Armand Duka mbajti sot një konferencë për shtyp, ndërsa ndër të tjera konfirmoi ndryshimin e radhës për fazën Final Four. Kështu ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë nuk do të ketë gjyqtarë të huaj.

Po ashtu, presidenti Duka para se të konfirmonte lajmin për gjyqtarët, tregoi se rregullorja e edicionit të ardhshëm mund të pësojë ndryshim sa i përket braktisjes së ndeshjeve. Shkak për këtë është bërë bojkoti për disa minuta i ndeshjeve gjatë këtij sezoni.

Duka u shpreh se duke pasur tolerime, janë përsëritur braktisjet e ndeshjeve. Për këtë do i jepet më shumë vëmendje rasteve si të këtij sezoni me protagonistë Tiranën më shumë se një herë, Vorën dhe Egnatian.

Për performancën e arbitrimit këtë sezon, çfarë komenti keni?

Duhet të themi sa të kënaqur jemi të gjithë në totalin e aktivitetit, jo nga një episod, jo nga një ndeshje, jo nga një fragment. Padyshim që ka gabime. Unë jam i pakënaqur edhe me arbitrin e Real-Bayern, që nxori me karton të kuq, sepse isha me Realin dhe jo me Bayernin (qesh). I pakënaqur jam, por gjithsesi, nuk di të them si ishte vendimi, i drejtë apo i padrejtë.

Ka gabime, por në përgjithësi niveli nuk është më i lartë se futbolli, por në të njëjtin nivel me futbollin. Nuk ka gabime që e deformojnë garën, nuk besoj se të paktën edhe në histori, por edhe në kampionatin aktual, skuadra që meritojnë të renditen më lart, por janë renditur më poshtë për arsye të gabimeve arbitrare.

Te vendimi i një ekipi për bojkot apo të një individi, bojkoti është gjëja më e keqe, sidomos në lojën e futbollit, në lojën tonë. Bojkoti është i keq mbase në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në lojën tonë. Pa thënë nëse bojkoti vjen nga një vendim i padrejtë apo i drejtë, bojkoti është i dënueshëm.

Sjellja e komisioneve të FSHF me bojkotin nuk ka qenë shumë korrekte në disa raste dhe kjo e ka bërë që të shfaqet në kampionatin e fundit, në të paktën 3 raste në memorien time. 80% e klubeve kanë kërkuar që të jemi më të rreptë me bojkotin, kjo mund të na shkatërrojë më shumë. Në rregulloren e kampionatit të ardhshëm, mbase duhet të ketë më shumë vëmendje nëse ka raste të tilla.

Thatë për gjykimin që nuk e ka deformuar garën. “Final4” do i besohet arbitrave shqiptar apo do kemi arbitra të huaj?

Në vitet e shkuar është marrë një arbitër i huaj, për të eliminuar çdo lloj paragjykim apo mendimi, pasi ka qenë vetëm me një finale. Por këtë vit do jetë një mini-turne, jo me një finale dhe ndeshjet që nisin nga data 16 maj dhe përfundon më 31 maj në stadiumin “Air Albania” dhe do të gjykohen nga arbitrat më të mirë shqiptar. Sektori i arbitrimit do të caktojë arbitrat që do të jenë për “Final 4”, dhe ata do të zgjidhen që do të gjykojnë në VAR dhe në fushë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb