Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia ka prezantuar sot para Komisionit të Ekonomisë marrëveshjen për portin e Durrësit, çështje që ka krijuar debate mes opozitës dhe maxhorancës.

Ai deklaroi se kjo marrëveshje është transparente, ndërsa ftoi deputetët opozitarë që të lexojnë kontratën, pasi do të jenë krenarë me të që sipas tij kalon ngjyrat partiake.

Mes të tjerash Kadia tha se toka nuk do të tjetërsohet, pasi investitori strategjik është shteti shqiptar.

“Pjesëmarrja e shtetit në këtë investim,, është praktikë e munguar në historinë e shtetit shqiptar, por është e njohur në vendet e tjera. Kjo marrëveshje është transparente. Impakti i këtij projekti do të jetë 12 mijë të punësuar. Fillimisht në ndërtimin e zonës dhe më pas në menaxhimin e saj. Ky projekt do të sjell shumë të mira për zonën. Po ashtu duhen parë të gjitha investimet e bëra jo në Shqipëri, por ato çka ka bërë kjo kompani në SHBA, Egjipt, apo ajo që është historike në Dubai. Në asnjë çast toka nuk tjetërsohet, shteti shqiptar do jetë aksioner. Shteti shqiptar është investitor strategjik me 33% të aksioneve. Po të lexoni kontratën do jeni krenarë për atë se çka do të marrë publiku shqiptar. S’ka të bëjë me ngjyrat politike. Po flasim për kontratë për interes të shqiptarëve.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb