TIRANË

Partia Social Demokratike ka reaguar sot në një deklaratë shpërndarë mediave lidhur me thirrjen që PD bëri sot ndaj KQZ-së, për të mos regjistruar Tom Doshin si kandidat të kësaj force politike në zgjedhjet e 25 prilli.

“Duke u nisur nga shpifjet dhe akuzat e pabaza, nga frika e humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit, sepse Partia Socialdemokrate e Shqipërisë do jetë faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare, ju bëjmë me dije se jo vetëm kryetari i PSD-së, Z. Tom Doshi, por edhe të gjithë kandidatët në çdo qark të vendit janë konform ligjit! PSD njeh, respekton Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet shqiptare!” -thuhet në deklaratën e PSD.
Kujtojmë se Tom Doshi kryeson listat e PSD në dy qarqe të vendit në zgjedhjet e 25 prilli, përkatësisht në Tiranë dhe Shkodër.

Në një thirrje për KQZ, PD kërkoi sot nga institucioni më i lartë i zgjedhjeve në vend, të mos regjistrojë Doshin si kandidat në zgjedhje duke e konsideruar si subjekt të ligjit të dekriminalizimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb