Ndonëse kanë kaluar 11 vite, Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin për kompensimin e pagave të deputeteve për 5 gra socialiste. Bëhet fjalë konrektisht për Vasilika Hysin, Mimi Kodhelin, Eglantina Gjermenin, Enkeljeda Shkrelin si dhe Ermonela Felajn. Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala për ‘BalkanWeb’.

Mësohet se gjykata e Apelit ka lënë në fuqi më datë 7 prill, vendimin e datës 28 dhjetor 2018 të dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në favor të socialisteve. Në këtë vendim përcaktohet paga për periudhën 7 shtator 2009 deri në 31 maj të 2010-ës.

Ndërkohë që kundër këtij vendimi lejohet të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 30 ditëve.

BOJKOTI I PS NË VJESHTË TË 2009-ËS
Pas zgjedhjeve të 2009-ës, PS bojkotoi parlamentin duke akuzuar demokratët për vjedhje të votave. Aso kohe PS, iu rikthye jetës parlamentare duke mos djegur mandatet. Kujtojmë se deputetët hynë në Kuvend pak ditë para se të përfundonte afati 6 mujor i përcaktuar në rregulloren e Kuvendit, sipas të cilit nëse mungon pa arsye në Kuvend të digjen mandatet.

Në atë kohë kryeparlamentarja demokrate Jozefina Topalli iu preu rrogat deputetëve socialistë, që kishin dalë në rrugë me thirrjen “hap kutitë ose largohu”.
Socialistët iu drejtuan gjykatës duke pretenduar rrogën e plotë edhe gjatë muajve të bojkotit, ndërsa togat e zeza iu dhanë të drejtë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb