Kryeministri Edi Rama u ndal sërish te skandali abuziv te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi” me sanitaren Tire Alldervishi dhe infermieret e arrestuara ditën e djeshme, teksa tha se ajo ishte një formë barbare abuzimi që shkon përtej korrupsionit.

Rama iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi, duke shkruar edhe në numrin e tij, të ministres, apo të policisë.

“Ajo formë barbare abuzimi shkon përtej korrupsionit. Është torturë dhe torturë çnjerëzore. Unë nuk jam askush që të gjykoj një njeri si vajza e të ndjerës, që e gjendur në atë situatë ankthi dhe nevoje për nënën, ka mbetur në rrethin vicioz të kurthit të ngritur një sanitare, që meritonte realisht rolin negativ në një fiolm për skemën e mashtrimit që ka ngritur, por dua të përfitoj nga rasti t’iu them të gjithëve që mund të ndeshen me të tilla monstra, që të mos bien në kurthin e tyre dhe të denoncojnë, të sfidojnë drejtuesit e spitaleve, t’i sfidojnë duke ua bërë me dije atë që po ndodh.

Numrin tim të telefonit e përdorin mijëra njerëz dhe në shumë raste për lloj-lloj mesazhesh që janë humbje kohe, humbje energjish, por mund ta përdorin lirisht ata që denoncojnë, ashtu si dhe numrin e ministres, të policisë. Nëse nuk besojnë asnjë nga këto le t’i drejtohen mediave investigatve, pa pritur të bien pre e këtyre lloj kurtheve, ku abuzohet edhe me faktin që ka apo s’ka ushqim. I lutem të gjithëve të bashkohen me mua në shpresën, besimin dhe kontributin për t’i cuar në burg të gjithë ata që mund të jenë si këta. Që kur ka filluar kjo luftë, kam marrë dyzyna mesazhesh nga njerëzit, por nuk i kam publikuar, pasi nuk kam dashur që ata të bëhen pre e qenërisë në rrjetet sociale”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb