TIRANE– Avokati i Popullit i ka dërguar një letër ambasadores së Bashkimit Evropan në Tiranë, Romana Vlahutin. Igli Totozani shpreh mirënjohjen për punën e ambasadores në Tiranë, ndërsa i kërkon ndjesë për fyerjet që i ka adresuar gazetari Kastriot Myftaraj.

Letra e hapur e Igli Totozanit vjen pas letrës së shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar Vlahutin. Në letër Kadare shprehej i pikëlluar për shkrimin e botuar sëfundmi në media nga Kastriot Myftaraj që e quante ambasadoren “Kur*ë kroate” e shkonte deri aty sa fliste për skenarin e vrasjes së saj.

LETRA E PLOTE:
“E nderuar zonja Vlahutin,

Unë nuk mund të shkruaj më bukur se shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, por besoj se si çdo qytetar i këtij vendi jam i aftë të ndjejë si ai. Kadare në gjithë veprën e tij ka ditur të njoh në thellësi ndjenjat më fisnike e të qenësishme të popullit tonë. Kurrkush si ai nuk ka ditur ta njoh në mënyrë aq komplekse dhe ta përshkruaj aq bukur shpirtin e popullit tonë, ndaj besoj që edhe në këtë rast ai ka ditur t’ju transmetoj juve si njeri, si grua, ndjesinë e hidhur që na ka lënë kjo ngjarje të gjithëve ne.

Nuk më mbetet veçse të rreshtohem bashkë me të si njeri dhe si përfaqësues i një institucioni shtetëror për t’ju kërkuar ndjesë dhe për t’ju shprehur gjithë mirënjohjen time dhe të institucionit për punën dhe misionin tuaj dhe të Bashkimit Evropian në të mirë të vendit tim dhe të ardhmes së tij europiane”.

(d.d/BalkanWen)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: