TIRANË

Një paralajmërim të fortë kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka bërë sot edhe për ata që joshin kandidatët e listës për deputetë të kësaj force, disa prej të cilëve kanë pranuar mandatin duke zëvendësuar të dorëhequrit.

Duke iu drejtuar atyre që kontaktojnë kandidatët e LSI-së, Kryemadhi tha të mos guxojnë t’u afrohen dhe të qëndrojnë larg.

E për ata që e kanë pranuar tashmë, Kryemadhi tha se nuk do iu falet,. “Tradhtinë të gjithë e përdorin por tradhtarin asnjë nuk e do”, ishte mesazhi që iu çoi kryetarja e LSI-së.

“Në një farë mënyrë dua të falënderoj të gjithë kandidatët e LRI-së, të cilët jo vetëm që nuk u joshën nga paratë e drogës dhe nga paratë e bankave të vjedhura por përveç asaj qëndruan përballë çdo presioni dhe po i them të gjithë atyre që kontaktojnë kandidatët e LSI-së mos guxojnë t’ju afrohen, sepse të gjithë i mbajnë mend që kur keni qenë në pushtet, kur keni pasur mundësi jo vetëm që nuk iu keni hapur telefonin njerëzve të LSI-së por përkundrazi i keni rrjepur ata. Kështu që qëndrojuni larg. Njerëzit për momentin mund t’ju duket sikur ju kanë harruar fytyrat por fjala e urtë ‘ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron’, ne e dimë shumë mirë. Për të gjithë ata që kërkojnë të përdorin emrin dhe simbolin e LSI, të jenë të kujdesshëm sepse nuk ka për tua falur asnjëri. Logoja e LSI-së, flamuri i LSI janë simbole të paprekshme e të pacenueshme. Mëkatet e njerëzve që hyjnë dhe dalin në listat tona ne do t’i paguajmë, por edhe një gjë. Tradhtinë të gjithë e përdorin, por tradhtarin asnjë nuk e do. Unë uroj që të kemi një punë shumë e madhe por shumë e bukur sepse forca, entuziazmi, dëshira për t’i bërë gjërat siç duhen do jetë e jashtëzakonshme do sjellë ndryshimin. Shqipëria do futet drejt rrugës së stabilitetit dhe Bashkimit Evropian”, tha Kryemadhi para të rinjve të LRI.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb