Trafiku ajror botëror regjistroi në mars rënien më të madhe në historinë e tij të kohëve të fundit me një rënie prej 52,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke rënë përsëri në nivelin e 2006-s, njoftoi sot Shoqata Ndërkombëtare e Transporti Ajror (IATA).

“Kërkesa, e llogaritur në kilometra-pagesa udhëtarësh (RPK), ra në 52,9% nga një vit më parë. Kjo është rënia më e madhe në historinë e kohëve të fundit të linjave ajrore”, sqaroi IATA, 290 linjat ajrore të së cilës janë goditur fort nga mbyllja e kufijve, e vendosur në të gjithë botën për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Marsi ka qenë një muaj katastrofik për aviacionin. Kompanitë kanë ndjerë gradualisht ndikimin në rritje të mbylljes së kufijve dhe të kufizimeve të trafikut, përfshirë ato të tregjeve të brendshme, në lidhje me koronavirusin”, tha drejtori ekzekutiv i IATA-s, Alexandre de Juniac, në një njoftim për shtyp.

“Kërkesa ishte në nivelin e asaj të vitit 2006, por ne kemi dyfishin e flotës dhe të punonjësve”, vuri në dukje ai.

Juniac theksoi, gjithashtu, se situata u përkeqësua më tej në prill dhe shumica e sinjaleve tregojnë për një rimëkëmbje të ngadaltë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb