Të paktën 19 persona, mes tyre 18 nxënës dhe një mësues, kanë humbur jetën pas shembjes së çatisë së një shkolle në qytetin Peshauar të Pakistanit.
Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten në mëngjes, gjatë zhvillimit të mësimit, në zonën Dir Colony. Sipas zëdhënësit të spitalit Lady Reading, të gjithë nxënësit që humbën jetën ishin nën moshën 13 vjeç.
Më shumë se një duzinë fëmijësh kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, disa prej tyre në gjendje kritike. Ndërkohë, dyshohet se disa nxënës të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.
Pas tragjedisë, në spitalin Lady Reading është shpallur gjendje emergjence për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, shprehu tronditjen dhe dhimbjen e thellë për humbjen e jetëve të fëmijëve dhe mësuesit, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Ai kërkoi gjithashtu një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe për të garantuar sigurinë e ndërtesave shkollore.
Edhe kryeministri Shehbaz Sharif shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u lut për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Ai u kërkoi autoriteteve të sigurojnë të gjithë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, guvernatori Faisal Karim Kundi ka kërkuar një raport të detajuar nga autoritetet përkatëse lidhur me ngjarjen tragjike.
