Një ngjarje tragjike është regjistruar në lumin Fox, në McHenry të Illinois, ku një përplasje mes dy varkash i mori jetën një gruaje 48-vjeçare dhe la të plagosur bashkëshortin e saj.

Sipas autoriteteve, drejtuesi i njërës prej varkave, 45-vjeçari Richard Stevenson, dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit dhe po lëvizte me shpejtësi të lartë kur u përplas me mjetin tjetër lundrues. Prokuroria e Qarkut McHenry bëri të ditur se varka e Stevenson, rreth 10 metra e gjatë, kishte arritur një shpejtësi prej rreth 70 nyjesh, ose afërsisht 130 kilometra në orë, në një zonë ku krijimi i dallgëve ishte i ndaluar.

Si pasojë e përplasjes, gruaja 48-vjeçare humbi jetën në mënyrë tragjike, ndërsa bashkëshorti i saj pësoi plagë. Kur policia mbërriti në vendngjarje, Stevenson u gjet pranë varkës së tij dhe u arrestua. Ai akuzohet për vrasje të paqëllimshme dhe drejtim mjeti lundrues nën ndikimin e alkoolit me rrethana rënduese.

Analizat mjekësore treguan se ai kishte një nivel alkooli në gjak rreth 0.200 mg/l, më shumë se dyfishi i kufirit ligjor.

Gjatë seancës gjyqësore, zëvendësshefi i policisë Brian Miller e cilësoi të dyshuarin si një “bombë me sahat”, duke deklaruar se dëshmitarët kishin raportuar se Stevenson kishte konsumuar alkool gjatë gjithë ditës dhe se kamerat e sigurisë e kishin regjistruar duke lëvizur me shpejtësi të lartë edhe në lumin Fox dhe në zonën e liqenit Chain O’Lakes para përplasjes.


Prokurorët thanë gjithashtu se Stevenson kishte precedentë të mëparshëm penalë, përfshirë tre dënime për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe drejtim të pakujdesshëm, si dhe disa shkelje për tejkalim të shpejtësisë.

45-vjeçari pritet të dalë sërish para gjykatës më 5 gusht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: