Nga ENRIK MEHMETI

VLORË- Trishtimi dhe zija kane pllakosur ne familjen e Manuela Maraj, njëra nga vajzat që humbi jetën tragjikisht në plazhin e Portonovës. Vjehrra e Manuela Maraj dhe gjyshja e Xhoana Canit mes lotësh rrëfen pengun më të madh pas humbjes se 27-vjeçares, dy fëmijët tashme të mbetur jetimë.

“Vetëm pak ditë më parë, Manuela më tha se kishte gjetur një vend shumë të mirë për plazh. Kishin shkuar në Zvërnec për plazh dhe duke eksploruar zonën kishin gjetur edhe këtë vend që paska qenë i mallkuar. Manuela më ka lënë dy fëmijë jetimë, më ka lënë djalin, burrin e saj. Edhe mbesa ka lënë një fëmijë të mitur. Kjo është një tragjedi shumë e madhe për familjen time që nuk gjej fjalë ta përshkruaj. Si nusja dhe mbesa janë çupat e mia se dhe nusja e djalit quhet çupë.”- thote ajo.

 

Dhimbja e familjes për 2 vajzat është e përzierë me një ndjenjë të thellë njerëzore, dhimbjeje dhe mirënjohje për djalin 24-vjeçar nga Tetova e Maqedonisë, i cili humbi jetën në përpjekje për t’i shpëtuar ato. Në mes të dhimbjes për 2 humbje tragjike në familje, gruaja mendon se duhet të kërkojë ndjesën e familjes se djalit nga Tetova, i cili shkoi drejt vdekjes gjatë tentativës për të shpëtuar 2 vajzat. “24-vjeç dhe ai, djalë nëne. Të më falë ajo familje, ka bërë një gjë humane por nuk e ndihmoi Zoti të shpëtonte|, – shprehet ajo.

Sipas saj kjo tragjedi do ishte shmangur nëse plazhi do të monitorohej nga roje bregdetare. Nëna e Manuelës mes lotësh arrin të belbëzojë vetëm pak fjalë.

Tashmë plazhi i Portonovës monitorohet me polici ndërsa zona është ndaluar për pushuesit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: