Mund të ishte mbrëmja e debutimit të tij zyrtar me Kardifin, por tragjedia që goditi Emiliano Sala i privoi tifozët e skuadrës uellsiane ta shihnin në fushë dhe pse jo të festonin golat e tij. Pavarësisht se sulmuesi argjentinas vazhdon të jetë i zhdukur, ai sërish u bë protagonist në ndeshjen mes Arsenalit dhe Kardifit.

Si fillim emri i tij u vendos në protokollin zyrtar të skuadrave. Më pas “Emirates Stadium” u ndal në heshtje si një homazh për sulmuesin e pafat. Mallëngjimi ishte i dukshëm te tifozët në tribuna, por edhe te lojtarët e të dyja skuadrave në fushën e lojës.

Emiliano Sala rezulton i humbur pasi avioni me të cilin udhëtonte nga Nanta drejt Kardifit dhe piloti i tij u zhduk në ngushticën e Lë Mansh.
(balkanweb)
