Në konferencën para mediave para ndeshjes së sotme me Teutën, trajneri Qatip Osmani ka theksuar se  fitorja është opsioni i vetëm i Vllaznisë në këtë sfidë.

Pas disfatës në shtëpi kundër Laçit, vjen një tjetër përballje e vështirë me Teutën në Durrës. Si e shihni këtë ndeshje?

Ne kemi bërë konstatimin e defekteve që kemi hasur në takimin me Laçin. Ne na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe jemi munduar që të rikuperojmë ato probleme që hasëm në përballjen me Laçin. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve dhe jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjen ndaj Teutës.

Jeni shprehur se disa prej lojtarëve nuk janë në formë, çfarë do të bëni në këtë pjesë?

Po, e kam prekur këtë dhe forma e disa prej tyre ka patur ndikimin e vet. Ajo është parë edhe nga loja, por edhe nga rezultati. Kemi folur me lojtarët edhe individualisht dhe si grup. Jemi të vetëdijshëm për situatën që kemi, por mendoj se në Durrës presim një paraqitje tjetër të këtyre lojtarëve dhe të Vllaznisë si skuadër në tërësi.

Do të ndryshoni diçka në mënyrën e lojës apo në formacion?

Në mënyrën e lojës jo, por në formacion mund të ketë edhe ndonjë ndryshim. Mund të them jo shumë ndryshime, por ndonjë lëvizje do të ketë.

Si është gjendja e Geralb Smajlit?

Smajli është i gatshëm dhe do ta fillojë nga minuta e parë.

Ka ndonjë lojtar tjetër me probleme?

Jo, kanë patur vetëm probleme të lehta, por deri nesër (sot) gjithçka do të jetë gati.

Pak takime më parë u fol se po sigurohej vendi i dytë, por tani mund të jetë edhe “Final 4” në dyshim?

Ne e kemi thënë edhe më parë se nuk kemi siguruar asgjë, pasi matematika nuk na lejon. Duhet të bëjmë më të mirën në këto takime të mbetura pasi asgjë nuk është siguruar, por duhet t’i kthehemi atyre lojërave dhe atyre rezultateve që kemi patur.

Mos ndoshta ka humbur disi harmonia në skuadër?

Jo, ajo nuk ka humbur. Harmonia është në skuadër dhe në këtë aspekt nuk ka asnjë problem.

Kundër Partizanit keni treguar një lojë të mirë, pritet e njëjta gjë edhe nesër(sot) ndaj Teutës?

Mendoj që po. Lufta për mbijetesë, por edhe për katër vendet e para është e hapur deri në fund. Ne nuk na mungon mobilizimi dhe shpresoj që shumë shpejt të dalim prej kësaj krize.

Kalendari nuk është i favorshëm. Luani tri takime jashtë dhe dy brenda…

Normalisht që është i vështirë pasi luajmë me ekipe që kërkojnë katër vendet e para, por edhe luftojnë për mbijetesë. Nuk ka kalendar të lehtë në këtë kampionat.

Si Armando Cungu dhe Edi Martini e njohin mirë lojën e Vllaznisë pasi janë dy shkodranë. Mos ndoshta ka ndikuar me Laçin dhe mund të ndikojë edhe me Teutën ky fakt?

Si për Armandon, edhe për Edin kam një mendim shumë pozitiv. Këtë e kam thënë dhe më përpara për të dy. Mund të them se pozita e Teutës nuk është reale. Mendoj se meriton më tepër. I dëshiroj rezultate të mira, punë të mbarë, por nesër (sot) do të kërkojmë më të mirën për vete. Pavarësisht se në takimet e fundit nuk patëm rezultate pozitive dhe ku fati ndikoi në to. Në takimin e fundit edhe pse humbëm luajtëm mirë. Dhe ne do të kërkojmë objektivin kryesor, fitoren.

A do të ishit i kënaqur edhe me një barazim?

Vllaznia do të shkojë për ta fituar ndeshjen, por edhe me një barazim do të jemi në lojë.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb