Në Universitetin “Luarasi” është mbajtur një konferencë me prani të mbi 35 profesorëve nga Rajoni, e titulluar “Prenventimi dhe trajtimi i komplikacioneve të COVID-19 për uljen e vdekshmërisë”.

Rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka tregoi të gjitha sfidat që ka hasur njerëzimi nga pandemitë ndër shekuj, evoluimin e teknologjisë shëndetësore dhe masat që duhet të ndërmerren për trajtimin e COVID-19, që ende është prezente në jetët tona.

“Ankthi që përjetuam ndoshta qe më i madh se sa duhet, por kjo justifikohet kur njerëzimi i kthehet historisë së vet me pandemitë e murtajës së zezë në shekullin e 14-ë, që preku deri gjysmën e popullsisë së Kontinentit tonë, por edhe pandemitë e tjera, si Kolera, Tifo, Ethet e Verdha, Gripit Spanjoll në vitin 1918 që vrau gati 50 milionë njerëz, Embolas, të virusit Sars, ju kujtohet besoj gripi i shpendëve, i derrit dhe padyshim dhe virusi HIV ose SIDA.

Edhe Shqipëria jonë e vogël pati një fat të tillë. Sipas statistikave zyrtare u prekën gati 272 mijë qytetarë dhe humbën jetën 3487 prej tyre. Dy valë të mëdha prekën vendin tonë në dimrin e vitit 2019-2020 dhe 2021-2022. Megjithatë nuk dështuam, me vështirësi, por sistemi jonë shëndetësore e përballoi këtë sfidë duke mos e lejuar sistemin të kalojë në gjendje kolapsi. Besoj se sot është rasti të nderojmë mjekët tanë, infeksionistë të vijës së parë mjekët e familjes, trupën e urgjencës kombëtare, strukturat shtetërorë që bënë më të mirën për të shpëtuar mijëra e mijëra jetë njerëzish.

Pandemia ende nuk është zhdukur, mesa duket do të bashkëjetojmë gjatë me këtë virus. Ndërsa mendojmë se më e keqja ka mbaruar vatra të reja kanë shpërthyer në Lindjen e Largët dhe mundësitë e varianteve të reja mutante janë të mundshëm. Vlen të theksohet se fuqia e kërkimit shkencor, i preu rrugën rëndimit të pandemisë përmes zhvillimit të gjenomës së virusit, prodhimi i testeve diagnostikues në nivelin e PCR dhe prodhimit të një kohe rekord të vaksinave klasike dhe atyre modern mbi bazën e ARN mesazhere. Për të pa informuarit vaksinat mbi bazën e ARN u prodhuan thjesht për një vit, por për të arritur deri këtu është dashur një punë kërkimore 40-vjeçare. Kjo bioteknologji, shënon fillimin e revolucionit të ri në shëndetësi. Një revolucion që do të targetojë sëmundje të tjera siç janë variantet e gripit, SIDA, Embola dhe disa lloje kanceri. Pandemia ka lënë pasoja te shumë të prekur. COVID-i i gjatë është një problem më vete. Edhe pse virusi nuk ekziston më pasojat vazhdojnë gjatë. K

jo është arsyeja se përse në konferencën e sotme ligjëruesit do të sjellin nevoja ndërkombëtare se si kurohen më mirë pasojat që la pas COVID-i. Falenderoj pjesëmarrësit, ngado që kanë ardhur, nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja të cilët me kontributin e tyre do të arrijnë në rekomandime të vlefshme. Falenderoj të gjithë të ftuarit tanë që na nderuan dhe janë një vlerë e shtuar e konferencës”, tha Ruka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: