TIRANË – Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, ka promovuar dy librat e tij “Transhumanizmi përtej njeriut” dhe “Takim me vetveten”. Ruka shprehet se në librin e tij të parë dëshmon se fanta-shkenca po kthehet në një realitet çdo ditë e më tepër. Ai shtoi se së fundmi po flitet për Inteligjencën Artificiale, duke shtuar se AI sa ç’ngjall shpresa, ngjall dhe frikë, nëse teknologjia e zëvendëson plotësisht njeriun. Profesor Ruka tha se në librin e tij “Takim me vetveten” ka përshkruar jetën e tij, duke nënvizuar se beson se çdo jetë njerëzore është një univers më vete. Et’hem Ruka falënderoi pjesëmarrësit në promovimin e librave.

Zoti i ka dhënë njeriut një armë të fortë, inteligjencën. Ne këtë armë mund ta përdorim për mirë apo për keq. Njeriu me veprimtarinë e tij ka prishur ekuilibrat e natyrës, ka bërë dëme më tepër se një meteor. Nga Neandertalët e deri më sot, janë zhdukur shumica e specieve dhe njeriu ka mbetur. Edhe njeriu nuk e di të ardhmen e vet. Jam munduar të sjellë arritjet e fundit të nano-teknologjisë. Bio-teknologjia po trondit botën. Nano-teknologjia dhe teknologjia e informacionit janë shkenca, pa të cilat nuk bëjmë dot sot. Inteligjenca Artificiale ngjall shpresë dhe frikë. Kjo sepse AI mund të shërbejë për mirë, por mund të krijojë edhe gjëra negative. Ne sot mund të krijojmë edhe zemër artificiale. Ato që dje kemi quajtur fanta-shkencë, mund të kthehet në realitet. Është rritur jeta e njerëzimit 2.5 vite në çdo dhjetë vjet. Me shaka kam thënë se kur të lindin fëmijë, mos thoni që jetofsh 100 vjet, se do të jetojnë edhe më gjatë. Të gjitha fantazitë sot po bëhen realitet. Këto shpjegoj në librin tim “Transhumanizmi përtej njeriut”.

Ndërsa në librin tim “Takim me vetveten” tregoj gjithë rrugëtimin tim të jetës. Por jam i bindur se libri ka vlerë për të gjithë, sepse çdokush ka fillimet e jetës së tij dhe fundin e jetës. Unë dua të falënderoj zotin president, z Irfan Hysenbelliu që më besoi drejtimin e Universitetit ‘Luarasi’. Ju falënderoj që keni ardhur tek Universiteti Luarasi. Unë nuk e di sesa botime kam bërë. Nuk kam bërë promovime. Dua të falënderoj Gramoz Ruçin. Kam qenë në Tepelenë, atje në fshatin tim, atje e kam promovuar librin tim “Takim me vetveten”, ku jam pritur nga 300 njerëz në fshatin tim të lindjes. Falënderoj profesor Rexhep Mejdanin, që është ndër profesorët më të nderuar të Fakultetit, që jemi rritur bashkë, kemi qenë bashkë në politikë dhe është ndër mburrjet tona, ishte president i Republikës. Kam këtu Ylli Bufin, që ka qenë kryeministër i vendit. Fakulteti i Shkencave ka nxjerrë presidentë, kryeministra, shefa të shërbimit informativ, është me të vërtetë fakultet fantastik. Falënderoj Namik Doklen. Faleminderit shumë të gjithëve”, tha në fjalën e tij profesor Ruka.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb