Një sasi prej rreth 91 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar cannabis është sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës, teksa po transportohej drejt Greqisë.

Operacioni policor i koduar “Risku 1” u finalizua pas kontrolleve të shtuara bazuar në analizën e riskut dhe përdorimit të mjeteve logjistike bashkëkohore. Droga u gjet e fshehur në rreth 88 pako, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e një furgoni.

Në pranga kanë rënë drejtuesi i mjetit, K. A., 28 vjeç, dhe pasagjerja B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë dhe bashkëshortë me njëri-tjetrin.

Sipas Policisë, furgoni iu nënshtrua fillimisht kontrollit në skaner dhe më pas kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në dalje të Shqipërisë. Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë

KK Kakavijë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku 1”.

Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare bazuar në analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të një furgoni rreth 88 pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.

Vihet në pranga drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja, bashkëshortë me njëri-tjetrin.

Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të RSh-së, furgonin që drejtohej nga shtetasi K. A..

Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në  dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.

Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: