NGA DORJANA BEZAT

TIRANE- Atentati me armë ndaj Andi Mustafarajt mesditën e së premtes në një lokal pas ish-Ekspozitës në kryeqytet, është atentati i 3 në Tiranë brenda pak muajve. Përplasja mes grupeve kriminale të Elton Çiços dhe Jani Aliajt ka nisur më herët në tentative për eliminim nga të dy palët.

Përplasja kulmoi në Tiranë mbrëmjen e 1 majit, kur në një lokal në ish-bllok, Jani Aliaj në bashkëpunim me Renato Milloshin ekzekutoi me plumb në kokë Elton Çiçon. Çiço lëvizte në kryeqytet me automjet të blinduar dhe vetëm kur qëndronte në lokal mund të bëhej pre e atentateve. Menjëherë pas kësaj ngjarje miku i tij dhe bashkëpunëtori në trafikun e narkotikëve, Andi Mustafaraj, tha se do të hakmerrej për vrasjen e tij.

Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajit, më 21 gusht të këtij viti rreth orës 15:35 në një lokal, te pallatet “Delijorgji”, në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt.

Për shkak të disa bimëve dekorative që kishte lokali, Nelgert Pata i shpëtoi fushëpamjes së atentatorit dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh. Menjëherë pas ngjarjes Pata u largua në drejtim të paditur, dhe Policia e Tiranës edhe sot nuk ka identifikuar as autorin e atentatit dhe nuk ka mundur të gjejë as të plagosurin Nelgert Pata.

Sulmi me armë ndaj tij, ka qenë një atentat i mirëfilltë dhe i organizuar. Sipas burimeve nga policia, ai është qëlluar nga një armë me precizon të lartë, e dyshuar snajper por policia në vendngjarje nuk gjeti asnjë gëzhojë. Pata i sapoliruar nga burgu, ku vuajti dënimin për trafikim të disa vajzave për shfrytëzim prostitucioni, ditën kur iu bë atentati sapo kishte ardhur nga Gjirokastra në Tiranë, me një automjet tip “Benz”, të blinduar, të zi. Policia dyshon se atentatorët kanë ndjekur lëvizjet e tij sapo ai të zbriste nga automjeti i blinduar.

E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarait. Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina është ulur në kafe, dhe aty u qëllua 3 herë me armë. Të tre atentatet në tiranë të këtyre grupeve, janë bërë në lokale dhe në zona të frekuentuara duke venë në rrezik jetën e shumë njerëzve që kanë qenë në lokal, apo kanë qenë kalimtarë të rastit.

Megjithëse të 3 ngjarjet janë regjistruara në kamera Policia e Tiranës nuk ka ende asnjë të arrestuar. Duke parë historinë e hakmarrjes mes 2 grupeve, nëse atentatorët nuk arrestohen në tiranë mund të ketë sërish sulme me armë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb