Laçi vijon të plotësojë organikën për sezonin e ri dhe ka përforcuar qendrën e mbrojtjes me një lojtar që e njeh mirë ambientin kurbinas. Elion Stafa rikthehet te Laçi, pas tre vitesh të kaluar në Fushë-Krujë, ku arriti të bëhej një prej lojtarëve kryesorë të Ilirisë.

Qendërmbrojtësi 24-vjeçar është një produkt i akademisë së Laçit. Stafa është formuar te klubi kurbinas dhe ka luajtur deri në ekipin U21, por nuk arriti të bëjë debutimin me ekipin e parë përpara se të largohej për të kërkuar më shumë hapësira. Tre vitet në Fushë-Krujë i kanë shërbyer për të fi tuar eksperiencë dhe për t’u konsoliduar në futbollin profesionist.

Sezonin e fundit, Stafa ishte një prej futbollistëve më të spikatur të Kategorisë së Parë, paraqitje që ka bindur drejtuesit e Laçit për ta rikthyer në skuadër. Mbrojtësi ka dhënë menjëherë sinjalet e para pas rikthimit. Në miqësoren e së shtunës ndaj Tiranës, të zhvilluar në “Selman Stërmasi” dhe të përfunduar 2-2, ishte pikërisht Stafa ai që shënoi një prej golave të Laçit, duke e nisur në mënyrën më të mirë aventurën e dytë me fanellën kurbinase.

Stafa pritet të jetë një alternativë e rëndësishme në qendër të mbrojtjes së Laçit, teksa klubi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri të Kategorisë Superiore. Për mbrojtësin, rikthimi në Laç është mundësia për të bërë atë hap që nuk e realizoi në periudhën e parë: debutimin dhe konsolidimin në ekipin e parë të klubit ku u formua.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb