Tirana mposhti Partizanin në derbi dhe u konfirmua si ekipi më në formë i Superiores. Bardheblutë ndodhen para tri javëve delikate për mbijetesën, ndërsa “Panorama Sport” krahason formën e katër sezoneve ku është rrezikuar rënia që prej vitit 2017. Rezulton se pas 33 javësh, Tirana asnjëherë nuk ka pasur më pak pikë sa këtë sezon.
Ekipi i Orges Shehit regjistron 35 pikë. Kjo shifër është e njëjtë me atë të rënies në edicionin 2016/17, kur ishin luajtur 33 javë. Tirana ndërkohë numëronte po ashtu 35 pikë edhe në edicionin e kaluar. Asokohe mbijetoi përmes fazës “play out”.
Kryeqytetasit rrezikonin rënien edhe në vitin 2019. Megjithatë ia dolën në fund që të lënë pas Kastriotin. Tashmë i gjithë fokusi është te sfida e shtunës me Teutën. Më pas janë rezervuar takimet ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit.
