TIRANË

Ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu akuzon kryeministrin Edi Rama se e ka kthyer Shqipërinë në ‘delen e zezë’ edhe për vaksinën kundër COVID-19.

Shehu shkruan në një postim në “Facebook” se pothuajse në të gjithë botën ky proces “zien”, ndërsa në Shqipëri nuk dëgjohet asgjë konkrete akoma, si në Afrikën Qendrore. Sipas tij, dëgjohet vetëm Rama që për dështimet e tij fajëson BE e partnerët.

POSTIMI I PLOTË
Rama fajëson BE, kur ai e ktheu Shqipërinë në “Delen e Zezë” edhe për vaksinën Covid!
Sot dëgjoj të thotë me ironi: “BE ka marrë një goxha vendim për të ardhur keq”!!!
BE përkundrazi po planifikon 65 M doza për ato vende, që janë në pozitat tona, pa kontraktuar asgjë deri tashti.
Por dhe kjo ka një kusht, infrastrukturën speciale të përgatitur nga çdo vend, ku ne jemi akoma shumë larg!
Më tej shtoi: “Rolin e lypsarit dimë ta bëjmë më mirë se kushdo”!!
Për këtë ka të drejtë se kur nuk mund të qeverisë, të planifikojë, të kontraktojë me kohë, të jetë serioz në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare, nuk merr asgjë e kështu detyrohesh pa dinjitet të marrësh “trajsën e lypsarit”, duke pritur kur e sa lëmosha do të të japin.
Por kjo nuk përshtatet për një shtet europian, anëtar të NATO!
Për të kuptuar këto mjafton të hidhet një vështrim edhe afër nesh:
Në Serbi arriti kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer, në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë ditët e para të Janarit sepse kontraktuan me prodhuesit ose me vende të tjera për këtë e ndërtuan në kohë infrastrukturën.
Pothuajse në të gjithë botën ky proces “zien”.
Ndërsa në Shqipëri nuk dëgjohet asgjë konkrete akoma, si në Afrikën Qendrore!
Dëgjohet vetëm Rama që për dështimet e tij fajëson BE e partnerët, siç ka bërë për çdo dështim, edhe për mos çeljen e Negociatave!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb