Një ngjarje tragjike është raportuar në Brazil, ku një djalë 11-vjeçar është sulmuar nga një peshkaqen teksa po notonte në një plazh të mbushur me pushues së bashku me miqtë e tij.

Sipas raportimeve, fëmija ka pësuar lëndime të rënda në anën e majtë të trupit, ndërsa sulmi i ka shkaktuar dëmtime fatale në këmbën e majtë, e cila më pas është amputuar. Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se djali, në gjendje të rëndë, u ka kërkuar me dëshpërim shpëtimtarëve që të mos e linin të vdiste.

Menjëherë pas ngjarjes, ai është nxjerrë nga uji dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij është aktualisht e qëndrueshme.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë pushues dhe shpëtimtarë që e tërheqin fëmijën drejt bregut, ndërsa kërkojnë ndihmë urgjente. Xhaxhai i tij ka përshkruar momentet e tmerrshme të sulmit, duke thënë se gjithçka ndodhi papritur teksa familjarët ndodheshin në det. “Dëgjova një zhurmë të çuditshme dhe kur u ktheva, pashë vetëm gjak. Nuk mendova dy herë dhe vrapova menjëherë për ta nxjerrë nga uji,” u shpreh ai, duke shtuar se fëmija ishte i vetëdijshëm dhe vazhdonte të lutej të mos lihej të vdiste.

Autoritetet lokale kanë nisur hetimet mbi ngjarjen, ndërsa plazhi është vënë nën monitorim të shtuar pas incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: