Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj raportimeve se Irani dhe Omani mund të arrijnë një marrëveshje për kontrollin e përbashkët të Ngushticës së Hormuzit, duke deklaruar se një gjë e tillë nuk do të pranohej nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një deklarate për gazetarët, Trump theksoi se ngushtica duhet të mbetet e hapur për të gjithë dhe se askush nuk mund të ushtrojë kontroll ekskluziv mbi të.
“Ngushtica do të jetë e hapur për të gjithë. Askush nuk do ta kontrollojë atë. Ne do ta ruajmë atë, por askush nuk do ta kontrollojë”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan shtoi se Irani dhe Omani “do të donin ta kontrollonin”, por theksoi se bëhet fjalë për ujëra ndërkombëtare dhe se Omani “do të trajtohet si çdo shtet tjetër”.
Në deklaratën e tij, Trump paralajmëroi gjithashtu se çdo përpjekje për kontroll të njëanshëm të ngushticës do të përballej me reagim të fortë nga SHBA-të.
