SHBA – Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur optimist për rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit që do të mbahen më 3 nëntor, pavarësisht sondazheve që tregojnë avantazh të demokratëve në garën për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Në një intervistë për gazetën “New York Post”, dhënë gazetares Miranda Devine në Shtëpinë e Bardhë, Trump foli për pritshmëritë e tij nga zgjedhjet, të ardhmen politike dhe skenarin në rast se republikanët humbasin kontrollin e Kongresit.
Pas 26 tubimeve elektorale të zhvilluara brenda një muaji, presidenti amerikan hodhi poshtë besueshmërinë e sondazheve, duke pretenduar se ato janë të manipuluara.
“Mendoj se janë të manipuluara. Mendoj se shumë kompani sondazhesh as nuk dërgojnë njerëz për të bërë sondazhe. Ata marrin një çek të madh, thonë se kanë 1,000 anketues në të gjithë vendin dhe pastaj ulen pas një tavoline”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se nuk njeh personalisht asnjë person që ka marrë pjesë në një sondazh dhe shprehu bindjen se republikanët do të kenë një rezultat të mirë.
“Por mendoj se do të dalim mjaft mirë. Mund ta kuptoj nga tubimet tona, të cilat janë aq të mëdha sa kanë qenë ndonjëherë”, u shpreh presidenti.
Pavarësisht axhendës së ngjeshur elektorale, Trump tha se nuk ndihet i lodhur nga fushata, duke argumentuar se mbështetja e qytetarëve i jep energji.
“Ka aq shumë dashuri në sallë ose në stadium, sa e bën disi të lehtë. Në të vërtetë të jep energji. E sheh dashurinë dhe respektin nga njerëzit dhe e di që vendi po ecën shumë mirë”, deklaroi ai.
I pyetur për pasardhësin e tij të preferuar politik, Trump shmangu përmendjen e një emri konkret, duke thënë se dëshiron që republikanët të kenë një kandidat të suksesshëm në të ardhmen.
