Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka rikthyer një deklaratë të kryedemokratit, Sali Berisha të disa viteve më parë kur shprehej se kush mbron zgjedhjet me një kandidat do të mbulohet nga turpi i historisë. Salianji shprehet se ka qenë dakord me këtë qëndrim, ndërsa shton se sot Berisha po bën të njëjtën gjë në PD, duke kandiduar përballë vetes në 23 maj, për t’u rikonfirmuar në krye të partisë.

Salianji thekson më tej se Berisha nuk kërkon rotacion politik, por të ruajë interesin personal.

Ai shton gjithashtu se “për herë të parë në historinë politike të PDSH Sali Berisha ka frikë të përballet në garë, me garë e mundim”.

Reagimi
Kam qenë dakord me Sali Berishën kur pak kohë më parë deklaronte: “Turpi i historisë i mbuloftë ata që mbrojnë zgjedhjet me një kandidat!”

Turpi mbuloftë cilindo që, për arsye pragmatike, privilegjesh apo përfitimesh personale, konformohet dhe pranon të përdhosë dinjitetin e vet dhe demokracinë, duke iu bërë barrë shoqërisë.
Demokracia nuk është dekor për t’u përdorur vetëm kur të leverdis. Ajo matet pikërisht në momentin kur duhet të pranosh garën, mendimin ndryshe dhe vullnetin e lirë. Kush i shmanget garës dhe kërkon unanimitet të imponuar, nuk kërkon demokraci, por nënshtrim, nuk kërkon rotacion por ruajtje te interesit personal!
Për herë të parë në historinë politike të PDSh Sali Berisha ka frikë të përballet në garë, me garë e mundim!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb