Kur Turqia i kërkoi Rusisë që të mos dërgonte tre anije luftarake në Detin e Zi ditët e fundit, Rusia tërhoqi kërkesën e saj për ta bërë këtë, tha kryediplomati i vendit të martën vonë, duke ilustruar pozicionin delikat të Turqisë ndërsa ajo përpiqet të ecë në një vijë të hollë midis Ukrainës dhe Rusisë.

Turqia, një anëtare e NATO-s që ka marrëdhënie të forta ushtarake dhe ekonomike me të dy vendet, i ka kërkuar Moskës të ndalojë agresionin e saj, por nuk e ka ndjekur Perëndimin në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës. Turqia tashmë po përpiqet të vlerësojë dëmin e mundshëm të sanksioneve në ekonominë e saj, raporton New York Times.

Turqia mbikëqyr hyrjen në Detin e Zi përmes një traktati të vitit 1936 që rregullon anijet detare që kalojnë nëpër ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve. Pakti, Traktati i Montreux, i jep Turqisë të drejtën për të ndaluar anijet e palëve ndërluftuese të hyjnë në Detin e Zi, përveç nëse baza e tyre e origjinës është atje.

“Ne, në një mënyrë miqësore, i thamë Rusisë që të mos i dërgonte anijet”, tha ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu për transmetuesin Haber Turk duke i’u referuar incidentit të fundit. “Dhe Rusia na tha se anijet nuk do të kalonin nëpër ngushticat.”

Kërkesa nga Rusia, e cila erdhi të dielën dhe të hënën, kishte të bënte me katër anije luftarake, tha zoti Cavusoglu. Vetëm një ishte regjistruar në një bazë të Detit të Zi dhe për këtë arsye kishte të drejtë të kalonte, sipas informacionit që kishte Turqia.

Por Rusia e tërhoqi kërkesën e saj për të katër anijet dhe Turqia informoi zyrtarisht të gjitha palët në Traktatin e Montreux se Rusia e kishte bërë këtë, sipas z. Cavusoglu.

Ai theksoi se Turqia zbaton rregullat e traktatit për të dyja palët e konfliktit, ashtu siç kërkon marrëveshja.

“Tani për tani ka dy palë në luftë, Ukraina dhe Rusia,” tha ai. “As Rusia dhe as të tjerët nuk duhet të ofendohen këtu. Ne do të aplikojmë Montreux sot, nesër, për aq kohë sa të qëndrojë.”

Përktheu: Balkanweb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: