Turqia ka nisur të kufizojë lëvizjen e disa anijeve tregtare drejt porteve të Detit të Zi përmes Bosforit dhe Dardaneleve, mes shqetësimeve në rritje për sigurinë detare. Sipas Bloomberg, duke cituar burime të njohura me çështjen, autoritetet turke kanë informuar disa anije që udhëtojnë drejt Novorossiysk, një prej qendrave kryesore të eksportit të naftës dhe drithërave të Rusisë, se për momentin nuk po miratohen lejet e tranzitit ose se shqyrtimi i aplikimeve do të kërkojë më shumë kohë.
Burimet kanë deklaruar se autoritetet turke nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për masën. Disa anije janë njoftuar gjithashtu se kufizimet mund të prekin edhe lundrimet drejt porteve ukrainase. Të dhënat e gjurmimit të anijeve tregojnë se, ndërkohë, trafiku i mjeteve detare që kanë destinacion porte në Bullgari dhe Turqi vijonte përmes Dardaneleve.
Vendimi i Ankarasë vjen në një periudhë kur Deti i Zi është përfshirë nga tensione të shtuara dhe sulme ndaj anijeve tregtare. Mes mjeteve të prekura kanë qenë edhe anije në pronësi turke. Ministria e Jashtme e Turqisë deklaroi më herët gjatë kësaj jave se disa anëtarë ekuipazhi, përfshirë shtetas turq, u plagosën pas sulmeve me dronë ndaj dy anijeve turke.
Ankaraja u ka bërë thirrje palëve të përfshira në konflikt që të ndërmarrin masa urgjente për garantimin e sigurisë së transportit detar në Detin e Zi. Turqia paralajmëron se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ketë pasoja të rëndësishme edhe për sigurinë ushqimore, duke qenë se rajoni i Detit të Zi është një prej zonave kryesore të prodhimit dhe eksportit të drithërave. Kufizimet e reja mund të krijojnë një tjetër pengesë për tregtinë ndërkombëtare, në një moment kur tregjet energjetike dhe ato të ushqimeve po përballen me pasiguri të mëdha për shkak të konflikteve dhe ndërprerjeve të rrugëve kryesore detare.
