Politikani turk, nacionalist i ekstremit të djathtë dhe aleat i Erdoganit, Devlet Bahçeli, publikoi një hartë që tregon se ishujt grekë në Egje, madje edhe Kreta i përkasin Turqisë.

Publikimi i kësaj harte ka ndezur debat në Greqi dhe është konsideruar si një provokim i hapur i ardhur nga Turqia. Bahçeli është një nga themeluesit e grupit nacionalist “Ujqërit Gri”, një grup islamist me prirje fashiste që konsiderohet si një organizatë terroriste në pjesën më të madhe të botës. Përgjatë viteve 1970, “Ujqërit Gri” kryen sulme guerile kundër pakicave, artistëve dhe të majtëve në Turqi.

Fotografia është publikuar përmes një postimi Tweet-er, ku “Ujqërit Gri” shkruajnë: “Udhëheqësi ynë, z. Devlet Bahçeli, vizitoi selinë tonë në Ülkü Ocakları… Allahu i Plotfuqishëm e bekoftë Devlet Bahçelin dhe i dhëntë jetë të gjatë”. Në përgjigje të këtij gjesti, burime diplomatike nga Greqia, duke folur për gazetën Kathimerini, deklaruan se akti ishte “agresiv dhe provokues”.

“Fatkeqësisht, ajo përfaqëson një pjesë të përshkallëzimit të retorikës ekstreme nga Turqia që ne e dëshmojmë çdo ditë”, shprehen burimet.
Sipas mediave helene, ky është një akt i paprecedent, i konsideruar si provokim i hapur që vë në dyshim sovranitetin e Greqisë.
“Presim refuzim të menjëhershëm, kategorik dhe publik të këtij akti të papranueshëm, i cili vë në dyshim sovranitetin e vendit tonë”, thanë burimet për “Kathimerinin”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: