Ministri i Turizmit Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Real Story” në News 24 sqaroi vendimin më të fundit për të zeruar TVSH-në për importuesit e jahteve në Shqipëri.

Klosi tha se ky është një vendim që e ndihmon vendin në kushtet e pandemisë së COVID, që thith turistë elitarë në një kohë që turizmi është në vështirësi. Ai tha se kjo metodë alternative është zgjedhur që të shpëtohet turizmi në 2020.

“Kjo është për ta hapur ekonominë, mund të jetë një nga ato ura për t’i dhënë frymëmarrje turizmit për shkak të koronës, ne duam jo vetëm këtë por edhe të tjera lehtësira. Ishte nevoja të krijonim një biznes të ri, një biznes që mungon. Kërkojmë të regjistrojmë edhe jahte me flamur shqiptar, nuk bëhet fjalë për oligarkët këtu, p r jahte të huaja që duan të marrin flamur shqiptar, pra edhe ne të përfitojmë nga ky turizëm. Është një turizëm që na mungon sot në brgdetin shqiptar”,- tha Klosi.

Ministri shtoi ndër të tjera se: “Këtë e bëjmë që këto jahte të ankorohen në Shqipëri, të marrin shërbim në Shqipëri. Sot ne duam të hapim detin si një alternativë të re, po e diskutojmë me qeveritë e Maltës apo Monakos për të hapur një botë të re, po krijojmë një industri të re elitare, duhet të mendojmë që të sjellim turistë të shtrenjtë, po si? Duhet të bëjmë aeroporte të reja, autorstrada të reja ndërkohë që detin e kemi. Si t’i afrojmë këta turistë elitarë? Kjo është metodë alterantive se si mund të shpëtojmë turizmin në 2020, me qëllim që në 2022 të kapim sërish 2019”.

Por si do të duket një gjë e tillë në sytë e shqiptarëve të thjeshtë dhe të varfër? Drejtuesi i emisionit Sokol Balla e paralelizoi situatën: Njerëzve të thjeshtë i kërkohet të paguajë energjinë elektrike në kohë krize, i kërcënoni se do ju prisni dritat, fasonëve ju thoni mbylleni biznesin po nuk patët punë, ndërsa miliarderët i afroni për t’i bërë taksën zero?

“Kjo po bëhet për të shpëtuar 2020, nga kjo pandemi globale, që turizmi ta ndjejë veten të mbështetur nga qeveria shqiptare, të kuptojë që ka dritë në fund të tunelit. Ky turizëm sjell para, të kemi mundësi të kemi më shumë turizëm elitar”,- tha ministri Klosi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb