Mbrojtësi i Real Madridit, Eder Militao ka thyer heshtjen e tij teksa ka publikuar një deklaratë duke mohuar kategorikisht të gjitha informacionet që qarkullojnë rreth tij në internet, në përgjigje të një raporti të publikuar këtë javë nga gazetari brazilian Leo Dias.
Sipas këtij versioni, Vinicius dhe Militao dyshohet se kanë punësuar gra eskortë (“garotas de programa”) nga Piracicaba për të udhëtuar në Madrid. Këshilltari i Vinicius kishte komentuar tashmë për këtë çështje, duke deklaruar se gratë udhëtuan me miqtë e të dy lojtarëve dhe paguan vetë udhëtimet e tyre. Emri i Militaos, megjithatë, ishte lidhur me historinë.
Deklarata e Militaos
“Në dritën e spekulimeve dhe akuzave të fundit që qarkullojnë në internet për mua, dua të sqaroj se të gjitha informacionet që më atribuohen janë të rreme dhe u mungon çdo provë. Në këtë kohë, jam plotësisht i përkushtuar për rikuperimin tim nga dëmtimi që më mbajti jashtë Kupës së Botës 2026, si dhe ia kushtoj të gjithë vëmendjen time familjes sime, veçanërisht gruas sime, e cila është shtatzënë.
Rrëfej se jam i frikësuar nga e gjithë kjo situatë. Kam arritur në pikën ku praktikisht nuk dal nga shtëpia kur gruaja ime nuk është pranë, pikërisht për shkak të ndikimit dhe madhësisë që kanë marrë këto akuza të pabaza. E përsëris se nëse ka ndonjë akuzë konkrete që përmend emrin tim, atëherë duhet të paraqiten prova të vërteta, jo thjesht supozime, gjykime të nxituara ose narrativa të krijuara në internet.
Përhapja e papërgjegjshme e akuzave të rreme po dëmton jo vetëm imazhin tim, por edhe familjen time, e cila po preket drejtpërdrejt nga i gjithë ky ekspozim i padrejtë. Kërkoj respekt, përgjegjësi dhe empati gjatë kësaj kohe shumë të vështirë”, përfundoi braziliani.

Raporti i Leo Dias po fiton vëmendje në Brazil pasi Virxhinia Fonseka, partnerja e sulmuesit të Real Madridit deri më sot, njoftoi fundin e marrëdhënies së saj me Vinicius në Instagram këtë të premte. “Kur diçka nuk ka më kuptim, preferoj të kem pjekurinë për ta përfunduar marrëdhënien në mënyrë miqësore sesa të qëndroj vetëm për hir të qëndrimit”, shkroi influencuesja.
