Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për shtetasin serb të arrestuar mbrëmjen e djeshme nën dyshimin për krime luftë në Kamenicë.

“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në lidhje me arrestimin e  shtetasit serb, mbrëmë reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, i cili tha se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk harrohen e as nuk i falen.

“Drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme. Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marr pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, shkroi ai në një postim në Facebook.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb