VLORE– Pa kaluar 24 orë nga vrasja e 33-vjeçarit Ergys Gjioveshaj dhe plagosjes së tre personave të tjerë në një lokal tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë, policia ka zbardhur krimin e rëndë. Blutë kanë arrestuar si autor të dyshuar të krimit 19-vjeçarin, Gani Tozaj banues në fshatin Sevaster, ndërsa në kërkim janë shpallur një 37 vjeçar me iniciale A.K banues në Vlorë dhe 25-vjeçari me iniciale E.S banues në Tiranë.

Por para policisë 19-vjeçari Gani Tozaj ka pranuar se ka qenë bashkëpunëtor.

Ai tha se natën e ngjarjes ndodhej i ulur në një tavolinë në lokal bashkë me kushëririn me inicialet A.K, 37 vjeç. “Arma u shkrep nga kushëriri dhe jo nga unë. Kemi qenë në tavolinën ngjitur me Gjioveshaj”, ka dëshmuar ai para policisë.
autori i vrasjes ne vlore
Policia sqaron se konflikti ka nisur ndërmjet viktimës dhe autorëve për motive të dobëta duke rrëzuar pistën që u dyshua në fillim ajo hakmarrjes pasi në moshën e adoleshencës, në vitin 2000 Gjioveshaj vrau bashkëmoshatarin e tij në Vlorë. 33-vjeçari u ekzekutua mesnatën e së premtes, në një lokal me muzikë live ku një person i armatosur me pistolete i iu afrua tavolinës ku ndodhej Gjioveshaj dhe qëlloi me breshëri drejt tij. Si pasojë, 33 vjecari mbeti i vdekur në vend me 6 plumba në pjesë të ndryshme të trupit.

Aksidentalisht mbetën të plagosur edhe 3 persona të tjerë që ndodheshin në lokal, mes tyre Arta Luka, 26 vjeçe, që ishte në tavolinë me Gjioveshajn, e cila ka marrë dy plumba në pjesën e barkut. I plagosur lehtë mbeti edhe Florjan Hila 28 vjeç, që ndodhej në tavolinën pranë viktimës, si dhe Arsonel Llanaj 32 vjeç që punonte si kamerier part time, në lokalin e natës. Të tre të plagosurit mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje u sekuestruan 1 armë zjarri Pistoletë si dhe 15 gëzhoja fishekësh.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb