Hetimet për 43-vjeçarin shqiptar të arrestuar nga forcat speciale greke EKAM kanë marrë një kthesë të re. I dënuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Greqi në vitin 2020 dhe i dyshuar si vrasës me pagesë, ai dyshohet se ka pranuar edhe kryerjen e dy vrasjeve në Shqipëri.
Fillimisht, i arrestuari u identifikua nga autoritetet greke si Nikolin Pali, 43 vjeç, i njohur edhe me emrin Niko. Sipas policisë greke, përveç dënimit për vrasjen e dyfishtë, ai kërkohej edhe në Shqipëri për veprën penale të “vjedhjes me armë”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Greqi, policia gjeti një pistoletë dhe granata.
Shqiptari ka deklaruar se ka kryer edhe dy vrasje në Shqipëri. Të njëjtat burime thonë se personi i arrestuar dyshohet të jetë Fran Preldakaj, alias Zef Preldakaj, 44 vjeç, i dënuar për vrasje në Shqipëri.
Pas këtyre informacioneve, policia ka nisur një hetim të thelluar për të verifikuar identitetin e tij dhe përfshirjen e mundshme në ngjarje të tjera kriminale. Informacionet operative e lidhin të dyshuarin me episode të rënda kriminale në të dyja vendet, përfshirë disa ngjarje që po hetohen si vrasje me pagesë.
Autoritetet po shqyrtojnë tashmë disa dosje të viteve të fundit, në përpjekje për të zbardhur nëse shqiptari ka pasur rol në ekzekutime të tjera në Shqipëri dhe Greqi.
