Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Beratit, për Natasha Rombula dhe djalin e saj, Armando Kumaraku, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit” kryer në bashkëpunim. Në këtë mënyrë, dyshja që shfrytëzonin përkatësisht nipin dhe djalin 10 vjeçar për të bërë video në Tik Tok, do të mbeten prapa hekurave. Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të ish-bashkëshortes së Kumarakut. Në videot e shpërndara në rrjetin sociale, gruaja dhe djali i saj dëgjohen duke mësuar fëmijën që të shajnë me fjalët më të ndyra.

Njoftimi i “Apelit”:

Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Më datë 17.12.2023, në Komisariatin e Policisë Kuçovë, ka bërë kallëzim penal shtetësia me iniciale E. A, e cila ka deklaruar se është e divorcuar me shtetasin me iniciali A.K dhe djali i tyre gjatë takimit me babin dhe gjyshen e tij, e ka parë në rrjetin social Tiktok live, duke sharë me fjalë fyese dhe banale në prani të tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personat nën hetim shtetasit me iniciale A.K dhe N. R, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit” kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 124/b dhe 22  të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, me vendimin nr. 22, datë 22.02.2024, ka vendosur:

1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

2.Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit për personat nën hetim A. K dhe N. R.

3.Caktimin si masë sigurimi ndaj personave nën hetim atë të “arrestit në burg”  të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të paraqitura, nga personat nën hetim me iniciale A. K, dhe N. R, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase tjetër sigurimi më të butë..

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fatri Islamaj,  vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 22, datë 22.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Tiranë, 27.03.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: