NGA: XHENSILA KODRA*

Prokuroria e Tiranës ka dhënë urdhër për lir imin e menjëhershëm të pesë zyrtarëve të drejtorisë numër 5 të ALUIZN-it në kryeqytet, të cilët u arrestuan tri ditë më parë nga Seksioni për Korrupsionin, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Mbrëmjen e së enjtes, Seksioni për Korrupsionin në Drejtorinë e Policisë Tiranë në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë arrestuan: 34-vjeçari Skënder Biba, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, me detyrën e shefit të seksionit të Urbanistikës dhe Legalizimeve; 56- vjeçari Vasil Mitre, (me arsim të lartë), lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me detyrën e shefit të Hartografisë në Drejtorin Rajonale të ALUIZN- it; 30-vjeçari Fatjon Guzi, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me detyrën e specialistit të Hartografisë po në këtë institucion; 43-vjeçari Astrit Joca, banues në fshatin Kërrabë, në Tiranë, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të regjistrimit fillestar në zonën nr.5 pranë ALUIZN-it, Drejtoria Tatimore Tiranë; si dhe 24-vjeçarja Ardjana Gjini, lindur në Vau i Dejës dhe banuese në Tiranë, me detyrën e specialistes-juristes.

Burime pranë prokurorisë bënë me dije se vënia në pranga e këtyre personave është e paligjshme, pasi organi i akuzës nuk i vërteton veprat penale për të cilat ata akuzohen. Arrestimi i tyre u bë pasi 54-vjeçari R.Xh. dhe 58-vjeçari F.C., të dy banues në Tiranë kanë bërë kallëzim se janë përjashtuar nga e drejta e pronës për të përfituar në katet shtesë për pjesën takuese sipas kontratave me investitorët përkatës.

HETIMET
Në arrestimin e personave të sipërpërmendur policia sqaroi se: “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta nëpunës të ALUIZN-it, me veprimet e tyre dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë bërë legalizimet për dy objekte në zonën ‘Komuna Kashar’, duke përdorur dokumente të falsifikuara në dëm të pronarëve të tokës përsa i përket pjesës takuese për përfitimin dhe përpjesëtimin e pasurisë së tyre, referuar kontratave me firmat ndërtuese”. Konkretisht, legalizimet janë kryer në objektin “Molla L, SHPK” me leje legalizimi të dt,03.07.2015 me sipërfaqe shtesë rreth 1.000 m2 dhe për objektin “Evisa Construksion”, më datë 12.09.2014 me sipërfaqe 310 m2. Gjithashtu, policia e Tiranës njoftoi se po për të njëjtën vepër penale u shpallën në kërkim edhe dy pronarët e dy firmave të ndërtimit, shtetasit me iniciale J.M. dhe J.Ç., të cilët kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: