Një qytetar nga Tepelena, i cili u bë viral pas intervistës në News 24 ku deklaroi se nuk mund të vinte në protestë për shkak të mungesës së parave, sot pjesëmarrës në protestë, ngriti shqetësimet për gjendjen ekonomike, shpopullimin e zonës dhe vështirësitë me të cilat, sipas tij, përballen pensionistët dhe familjet shqiptare.

“Kam ardhur nga Tepelena për ekonominë time. Dëshira ishte shumë e madhe për të qenë këtu. Ju falënderoj dhe ju respektoj që jeni njerëz me zemër të madhe,” tha ai.

Sipas tij, jetesa me 30 mijë lekë të vjetra në muaj është e pamundur, ndërsa kostot për ujin, energjinë elektrike, internetin dhe shërbimet e tjera e bëjnë situatën të papërballueshme.

“Të jetosh me 30 mijë lekë të vjetra, duke paguar ujë, drita, kabllor dhe internet, është çmenduri. Punoj në një biznes të vogël ambulant. Çmimet janë rritur, ndërsa shqiptarët nuk reagojnë,” u shpreh ai.

Duke folur për gjendjen në Tepelenë, ai tha se qyteti është prekur rëndë nga emigracioni.

“Tepelena nga rreth 7 mijë banorë ka mbetur me vetëm 1 500. Tepelena dhe Memaliaj kanë së bashku rreth 50 fshatra, ku në shumë prej tyre kanë mbetur vetëm nga 20 shtëpi. Kjo qeveri e ka çuar vendin në rënie dhe shpopullim.”

Qytetari u ankua edhe për vështirësitë e fermerëve, duke pretenduar se prodhimet vendase mbeten pa u shitur.

“Produktet që prodhojmë përfundojnë në koshin e plehrave, sepse tregu mbushet me produkte të importuara nga Maqedonia e Veriut.”

Ai u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë vendin që të protestojnë.

“I bëj thirrje publike të gjithë shqiptarëve, nga Ksamili në Veri, të protestojnë masivisht. Sot kam ardhur me makina rastësore, sepse e dua këtë vend.”

Në fjalën e tij ai përmendi edhe burimin e njohur “Uji i Ftohtë” të Tepelenës, duke thënë se produkti eksportohet deri në SHBA, ndërsa sipas tij situata në qytet mbetet problematike.

“Uji i Ftohtë i Tepelenës shkon deri në SHBA, por gjithçka tjetër është negative. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi.”

Ai u bëri thirrje administratës dhe Policisë së Shtetit që t’u bashkohen qytetarëve, duke theksuar se protestat janë paqësore.

“Administrata dhe policia duhet të dalin në shesh. Policia duhet të qëndrojë në anën e qytetarëve, sepse protestat janë paqësore.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb