Dy sheshe kryesore në lagjen e njohur të “Rusit” në Shkodër nga sot do të mbajnë emrat e dy klerikëve të njohur shqiptarë të dy besimeve të ndryshme që i kanë dhënë shumë kombit por edhe besimit të tyre, Hafiz Sabri Koçi dhe Dom Simon Jubani.

Lajmin e ka bërë të ditur imami i Shkodrës Muhamed Sytari, i cili falënderon këshillin e Bashkisë për vendimin.

Ai thotë se nderimi i këtyre dy burrave të shquar të Shkodrës, në këtë atmosferë të 30-vjetorit të rihapjes së kishave dhe xhamive tona, është pa dyshim një mirënjohje e madhe për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët shkodranë, që 30 vite më parë, u bënë pishtarë të rizgjimit dhe rimëkëmbjes së madhe të kombit!

“Një falënderim i përzemërt për Këshillin e Bashkisë Shkodër, që në këto momente miratoi projektvendimin për emërtimin e dy shesheve të Rusit me emrat e të nderuarve: Hafiz Sabri Koçi dhe Dom Simon Jubani!
Nderimi i këtyre dy burrave të shquar të Shkodrës, në këtë atmosferë të 30-vjetorit të rihapjes së kishave dhe xhamive tona, është pa dyshim një mirënjohje e madhe për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët shkodranë, që 30 vite më parë, u bënë pishtarë të rizgjimit dhe rimëkëmbjes së madhe të kombit!
Pa dyshim, vendosja e dy emrave, të prijësve tanë të nderuar në dy sheshet e Rusit, do të rrezatojnë mirësi e paqe, frymën e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, si dhe do të na frymëzojë përherë e më shumë për të respektuar shenjtëritë tona, për të rrugëtuar me Dritën e Zotit drejt dinjitetit të dëshmisë së qenies tonë si mëkëmbësit e Zotit mbi tokë!
Mirënjohje dhe përulje me lutje e nderime për Hafiz Sabri Koçin dhe Dom Simon Jubanin, të cilët kam pasur fatin t’i njoh nga afër dhe që i konsideroj si dy njerëz të zgjedhur të këtij qyteti të madh të vlerave të besimit dhe harmonisë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër”, shkruan imami i Shkodrës Sytari.

Sytari
Sytari

Haxhi Hafiz Sabri Koçi (Orenjë, 14 maj 1921 – 18 shkurt 2004) ka qenë hoxhë, shejh i tarikatit Tixhani dhe Myftiu i Madh i Shqipërisë pas rënies së komunizmit. Më 4 qershor 1966 u arrestua nga regjimi komunist dhe vuajti 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë burg, për t’u liruar më 22 tetor 1986.
Dom Simon Jubani (Shkodër, 8 mars 1927 – 12 korrik 2011) ka qenë klerik katolik i burgosur dhe i përndjekur nga regjimi komunist me 26 vjet burg, të vëllain Dom Lazrin ia helmoi me arsenik Sigurimi më 30 korrik 1982. Ka qenë meshtari i parë që çoi meshën e parë dhe më pas më 11 nëntor kremtoi meshën e parë publike tek Varrezat e Rrmajit në Shkodër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb