Profesori amerikan Daniel Serwer e ka cilësuar si të padrejtë aktgjykimin ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kritikuar njëkohësisht edhe vetë Dhomat e Specializuara.

Në një shkrim të publikuar pas shpalljes së aktgjykimit, Serwer tha se nuk është vetëm vendimi që, sipas tij, është i padrejtë, por edhe gjykata që e ka marrë atë.

Megjithatë, profesori amerikan theksoi se nuk ka dyshim që disa prej pretendimeve për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së janë të vërteta.

Sa i përket ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Serwer tha se nuk beson se ai kishte autoritet komandues mbi forcat që dyshohet se kryen krime.

“E di këtë sepse jo vetëm që amerikanët që e dinin këtë dëshmuan në gjykimin ndaj tij, por edhe sepse në bisedat me të pas luftës, para luftëtarëve të UÇK-së, ai më tha se roli i tij ishte i kufizuar në zëdhënës politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandant”, shkroi Serwer.

Serwer ka qenë prej vitesh i përfshirë në çështjet e Ballkanit dhe ka komentuar vazhdimisht zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: