Një prej protestuesve të mbledhur kundër projektit turistik në Zvërnec ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit, duke e akuzuar se po përçan qytetarët dhe po injoron zërin e atyre që nuk e kanë mbështetur me votë.

Nga protesta, ai u shpreh se shqiptarët janë lodhur nga qeverisja aktuale dhe se, sipas tij, Kryeministri po dëmton interesat e vendit.

“I ke lodhur shqiptarët sa që tani e vetmja punë që di të bësh është të na shkatërrosh. Tha diçka tjetër sot, ‘u drejtohem vetëm atyre që më kanë votuar’. I pacipë! Çfarë të dukemi ne, dele? Ne jemi shqiptarë”, deklaroi protestuesi.

Fjalët e tij u pritën me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në tubim, ku nuk munguan as thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesat për tërheqjen nga projekti në Zvërnec.

Protesta po vijon përpara Kryeministrisë, ndërsa qytetarët dhe aktivistët këmbëngulin se do të vazhdojnë kundërshtimin e tyre ndaj investimit në Zvërnec, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm për zonën e mbrojtur dhe interesin publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb