Argjentina siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës pas një përmbysjeje spektakolare ndaj Egjiptit, duke fituar 3-2 në një ndeshje dramatike të fazës së 1/8-ave.
Skuadra kampione në fuqi ishte shumë pranë eliminimit, pasi Egjipti udhëhiqte 2-0 deri në minutën e 79-të. Por shpirti argjentias i udhëhequr nga një super Messi bëri që bardhekaltrit të siguronin kualifikimin për më tej.
Në kampin egjiptian, zhgënjimi ishte i madh. Tifozët dhe stafi teknik kritikuan ashpër arbitrimin, duke pretenduar se disa vendime ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.
Trajneri Hossam Hassan deklaroi pas sfidës se skuadra e tij ishte dëmtuar nga vendimet e arbitrit dhe të sistemit VAR. Sipas tij, Egjiptit iu mohua një penallti dhe një gol u anulua në mënyrë të padrejtë.
“Po kthehem në shtëpi dhe nuk do të ndjek më asnjë ndeshje të këtij turneu. Ajo që ndodhi nuk ishte e drejtë. Duhej të fitonim një penallti dhe ende nuk e kuptoj pse u anulua goli ynë”, u shpreh Hassan në konferencën për shtyp. “Do të them atë që kam në mendje, pavarësisht pasojave. Kjo ishte qartësisht një ndeshje e manipuluar dhe e gjithë bota e pa.” “Dua të them edhe një gjë tjetër: Nëse duan që Argjentina të fitojë kaq shumë, atëherë pse i ftojnë të gjitha skuadrat të marrin pjesë?”, ishin këto deklaratat tronditës e tepër të forta të teknikut të Egjiptit menjëherë pas ndeshjes.
Goli i Mostafa Zicos në minutën e 62-të u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, i cili evidentoi një faull në ndërtimin e aksionit. Në minutat e fundit, egjiptianët kërkuan edhe një penallti për një ndërhyrje ndaj Hamdy Fathy, por loja vazhdoi. Vetëm pak çaste më vonë, Argjentina realizoi golin vendimtar me Enzo Fernandez, duke i dhënë fund ëndrrës së Egjiptit për një kualifikim historik.
