Dy persona kanë rënë prangat e policisë, pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet M. G., 34 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Eçmenik, Devoll, shtetasit e mësipërm duke lëvizur me mjetin tip “Benz”. Shërbimet i kanë bërë me shenjë drejtuesit që të ndalonte, por ai nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasit M. G. dhe D. D., kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb