Të vrarë me armë zjarri dhe të hedhur në një kanal. Një ngjarje dhe skenë krimi e tmerrshme është ajo që ka zbuluar policia ditën e sotme në Maliq të Korçës.

Andrea, 33 vjeç dhe Martini, 31 vjeç ishin larguar tre ditë më parë nga shtëpia e tyre në Pogradec, mbrëmjen e 7 dhjetorit dhe pasi telefonat e tyre dilnin të fikur familjarët kanë denoncuar në polici.

Pas kërkimeve ata janë gjetur të vrarë dhe trupat e pajetë të hedhur në një kanal në fshatin Zvirinë në Maliq.

Policia tha se të dy vëllezërit figurojnë me precedentë penalë dhe e kaluara e tyre problematike dyshohet se ka sjellë dhe krimin e dyfishtë. Kjo është dhe pista ku po heton policia e Korçës në bashkëpunim me atë të Pogradecit.

Ndërkohë gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se forca të shumta policie po krehin zonën ku ka ndodhur ngjarja në kërkim të gjurmëve që mund të çojnë në zbulimin e të vërtetës dhe identifikimin e autorëve.

Po kështu janë shoqëruar disa persona, për të marrë informacion si për lëvizjet e fundit të dy vëllezërve Olldashi ashtu dhe për konflikte të mundshme të tyre.

Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb