Punimet për sistemimin e asfaltit të rrugës Qafë-Buall-Martanesh nuk kanë përfunduar ende, ndonëse vepra duhej të përfundonte në prill të vitit 2025. Për sistemimin e asfaltit në rrugën prej 16.4 kilometrash, puna nisi në mars të vitit 2024 me kohëzgjatje 13 muaj, por edhe pas më shumë se 2 viteve rruga ende nuk ka përfunduar.
Financues i këtij projekti është Autoriteti Rrugor Shqiptar me një buxhet prej 11.2 milionë eurosh, ndërsa bashkimi i firmave “BE-IS” sh.p.k, “ERGI” sh.p.k dhe “VËLLEZËRIT HYSA” sh.p.k, nuk arritën ta mbyllin kontratën në kohë.
Për më tepër, është hequr tabela informuese e projektit, duke fshirë gjurmën e transparencës që ligji parashikon për çdo zbatues projekti. Deri tani janë kryer një sërë punimesh në rrugë, por nuk duket të jetë drejt asfaltimit. Burime të besueshme pranë ARRSH thanë se kompanitë kanë kërkuar ta dorëzojnë rrugën në këtë fazë kur nuk është hedhur asfalti me argumentin e tejkalimit të kostos nga zgjerimi i rrugës. Ditët e fundit është bërë vendosja e sinjalistikës vertikale, por heqja e tabelës, tregon se kompanitë janë drejt dorëzimit. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që projekti të zbatohet siç ka qenë me asfalt.
Asfaltimi i kësaj rruge do të zgjidhte një problematikë të hershme për mijëra banorë e subjekte që operojnë në zonën e Martaneshit.
